Lajmi qendror sot në mediat zvicerane ishte padyshim ulja e tarifave të SHBA-së për eksportet zvicerane, nga 39% sa ishte në 15%. Këtë lajm e ka sjellë ministri i ekonomisë dhe nënpresidenti federal, Guy Parmelin. Ai ishte i angazhuari i drejtpërdrejtë i qeverisë së Zvicrës në bisedimet e lodhshme me përfaqësuesit e SHBA-së.
“Marrëveshja në mosmarrëveshjen” për tarifat me SHBA-në është një lajm pozitiv, veçanërisht për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme zvicerane, thotë redaktori i biznesit i SRF, Matthias Heim. Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, në veçanti, kanë vuajtur më shumë nga tarifat e larta, të caktuara muaj më parë nga SHBA.
Pika thelbësore është se Zvicra tani është në të njëjtin nivel me konkurrentët e saj në BE, transmeton albinfo.ch. SHBA ka vendosur gjithashtu një tarifë prej 15 për qind edhe për produktet nga BE-ja.
Megjithatë, është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se situata për ekonominë zvicerane është ende dukshëm më e keqe krahasuar me fillimin e vitit, kur tarifat ende nuk ishin vendosur, vazhdon Heim.
Reagimet e partive
Politikanët zviceranë mbeten skeptikë sepse marrëveshja në mosmarrëveshjen për tarifat është ende jo detyruese. Bashkëpresidentja e FDP-së, Susanne Vincenz-Stauffacher, paralajmëron se klima e përgjithshme politike mund të ndryshojë.
Bashkëpresidenti i SP-së, Cédric Wermuth, është po ashtu skeptik. Shumë pak dihet ende për lëshimet që ka bërë Zvicra, thotë ai. Presidenti i Partisë së Qendrës, Philipp Matthias Bregy, thotë se nëse vendet e punës do të zhvendoseshin nga Zvicra në SHBA, kjo do të kishte gjithashtu pasoja negative.
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Popullore Zvicerane (SVP), Thomas Aeschi, thotë se partia e tij është e kënaqur me marrëveshjen e arritur. Ai shton se janë mbrojtur edhe interesat e bujqësisë.