Mesfushori 22-vjeçar Behar Neziri, i rritur në akademinë e Bayern Munchenit, po shkëlqen aktualisht me St. Gallenin në Superligën e Zvicrës, përcjell albinfo.ch.
Neziri ka luajtur në të gjitha tetë ndeshjet e këtij sezoni, duke impresionuar që në debutim me fitoren 2:1 ndaj Baselit. Ai thotë se ka pritur gjatë për këtë moment, pas dy vitesh të vështira me lëndime dhe huazimin te Wili.
“Kam dashur fanellën e Shaqirit, por ishte e rezervuar. Ndoshta herën tjetër,” ka thënë ai për Blick. Shaqiri mbetet një prej idhujve të tij, ndërsa të dy i lidh e kaluara te Bayerni dhe rrënjët kosovare.
Neziri iu bashkua Bayernit në vitin 2016 nga Augsburgu, ku luajti për ekipet e moshave dhe për ekipin e dytë. Në 2023 kaloi te St. Gallen U21, para se të bashkohej këtë verë me ekipin e parë.
Trajneri Enrico Maasen e vlerëson për inteligjencën taktike dhe kujdesin ndaj bashkëlojtarëve, ndërsa klubi e cilëson shembull profesionalizmi.
“Kam luajtur edhe me Musialën dhe Pavloviqin. Mund ta imagjinoj ta bëj këtë sërish, por me ekipin e parë të Bayernit,” thotë me ambicie Neziri, i cili ka përfaqësuar Kosovën U16, U19 dhe U21 dhe ishte pjesë e listës së gjerë për ndeshjet e shtatorit.