Një ngjarje e pazakontë është regjistruar në një tren të linjës S6 nga Esen drejt Këlnit, ku tri pula janë gjetur në një nga vagonët e klasit të parë, të ulura qetësisht mbi një shtresë kashteje, transmeton albinfo.ch.
Sipas zëdhënësit të Deutsche Bahn, shpendët u vunë re vetëm në stacionin e fundit të linjës, kur makinisti kontrolloi trenin pas përfundimit të udhëtimit.
Pulat u dorëzuan më pas tek shërbimi i shpëtimit të kafshëve, ndërsa treni duhej të pastrohej plotësisht për shkak të ndotjes.
Ende nuk dihet kush i transportoi apo i la aty kafshët. Policia federale gjermane ka nisur hetimet për ndotje të hapësirave të transportit publik dhe po analizon pamjet e kamerave të sigurisë për të identifikuar personin përgjegjës.
Ngjarja ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ku shumë përdorues e kanë cilësuar incidentin si “një nga udhëtimet më të veçanta në historinë e Deutsche Bahn”.