Gjyqtarja kosovare Florentina Kallaba ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në karrierën e saj profesionale, duke u përzgjedhur në mesin e tetë gjyqtareve ndërkombëtare të UEFA-s që do të ndajnë drejtësinë në Kampionatin Botëror të vajzave në futsall, i cili do të mbahet në Filipine, përcjell albinfo.ch.
Ky është një nga sukseset më të mëdha për gjyqtarët e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke e vendosur Florentinën në mesin e emrave më të respektuar në këtë sport.
Përzgjedhja e saj është rezultat i profesionalizmit, përvojës dhe përkushtimit që ajo ka dëshmuar ndër vite, si në ndeshjet e kampionatit vendor ashtu edhe në ato ndërkombëtare.
Kallaba njihet për autoritetin dhe qetësinë e saj në fushë, si dhe për korrektësinë dhe integritetin profesional, cilësi që e kanë bërë një prej gjyqtareve më të vlerësuara në Evropë.
Me përkushtimin e saj ndaj sportit, ajo është një frymëzim për vajzat dhe gratë në futboll, duke dëshmuar se me punë të palodhur dhe pasion mund të arrihen majat e suksesit.
Përzgjedhja e Florentina Kallabës për Kampionatin Botëror është gjithashtu një vlerësim për Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK), e cila po kontribuon vazhdimisht në rritjen e cilësisë së ndarjes së drejtësisë në futbollin vendor. /Albinfo.ch.