Skip to content

Shqipëria merr pjesë në kampionatin botëror të degustimit të verërave në Francë

Për të tretin vit radhazi, Shqipëria ka qenë pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror të Degustimit të Verërave, që u zhvillua më 3 dhe 4 tetor në kështjellën historike “Fort des Rousses”, në rajonin francez të Jurës, i njohur për traditën e tij të hershme të verës. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të […]

Për të tretin vit radhazi, Shqipëria ka qenë pjesëmarrëse në Kampionatin Botëror të Degustimit të Verërave, që u zhvillua më 3 dhe 4 tetor në kështjellën historike “Fort des Rousses”, në rajonin francez të Jurës, i njohur për traditën e tij të hershme të verës.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se ky aktivitet përbën një mundësi të rëndësishme për promovimin e verës shqiptare, turizmit dhe kulturës sonë mikpritëse në arenën ndërkombëtare.

“Nën drejtimin e somelierit franko-shqiptar, Serxhio Prelashi, ekipi ‘Team Albania’ përfaqësoi me dinjitet trashëgiminë e verës shqiptare dhe potencialin turistik të vendit. Përmes kësaj pjesëmarrjeje, u sollën në vëmendje kantinat dhe destinacionet më të njohura të verës në Shqipëri,” deklaroi ministri Gonxhja.

Gjatë eventit, u prezantuan verëra autentike shqiptare që kanë fituar emër në tregun vendas dhe atë ndërkombëtar. Produktet u vlerësuan si shembuj të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit të verës, një sektor që po njeh rritje të vazhdueshme dhe tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë vendas e të huaj.

Në fjalën e tij, ministri Gonxhja theksoi se turizmi i verës mbetet një ndër prioritetet strategjike të qeverisë për të zgjeruar ofertën turistike dhe për të zgjatur sezonin, në përputhje me vizionin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe promovimit të produkteve vendase me vlerë të shtuar.