Ramadan Safet Gashi, një i ri shqiptar nga Rahoveci, pas një dekade jetese dhe pune në Itali, ka marrë vendimin e madh për t’u rikthyer në fshatin e tij dhe për të ndërtuar jetën pranë familjes, transmeton albinfo.ch.
Gashi për dhjetë vjet ka punuar në sektorin e ndërtimit në shtetin italian. Megjithatë, në vend që të vazhdonte rrugën e mërgimit, ai vendosi ta ndërtonte të ardhmen aty ku e ka origjinën, pikërisht në Rahovec.
Sot, ai është pronar i 23 krerëve lopë, ndërsa përveç punës në ara për sigurimin e ushqimit për bagëtinë, së bashku me familjen kultivon edhe kultura të ndryshme bujqësore, si lakra, speca, domate e patate.
Në këtë rrugëtim nuk është vetëm. Vëllezërit dhe motrat janë po ashtu pjesë e pandashme e përpjekjeve, duke kontribuar në punët e shumta të përditshme që kërkon bujqësia dhe blegtoria./Albinfo.ch