Libri i fundit i serisë “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare” arrin në duart e fëmijëve të diasporës, transmeton albinfo.ch.
Që nga ky vit, nxënësit shqiptarë në diasporë kanë në dispozicion tekstin didaktik “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare”, niveli III, i cili vjen si pjesë përmbyllëse e paketës mësimore të destinuar për klasat I–IX.
Ky botim shënon një arritje të rëndësishme në fushën e arsimit për fëmijët shqiptarë jashtë vendit, duke kompletuar ciklin e plotë të librave mësimorë që ndihmojnë në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës dhe identitetit kulturor shqiptar në mërgatë.
Tekstet janë realizuar në bashkëpunim nga shtëpitë botuese “Dukagjini” dhe “Albas”, duke u bazuar në kurrikulën e miratuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë (MAS) dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit të Kosovës (MAShTI).
Me këtë nismë, jo vetëm që mbështetet procesi mësimor në diasporë, por gjithashtu forcohen lidhjet shpirtërore dhe kulturore të brezave të rinj me atdheun. /Albinfo.ch