Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka hyrë në një etapë të re akademike, duke u bërë pjesë zyrtare e dy programeve të përbashkëta doktorale në Austri: Marrëdhënie Ekonomike Ndërkombëtare & Menaxhim si dhe Shkencat e Edukimit & Komunikimit, transmeton albinfo.at.
Ky zhvillim i konsideruar si një hap historik për universitetin, e pozicionon atë në një nivel më të lartë ndërkombëtar, duke e rritur prestigjin dhe mundësitë për studentët e rinj. Iniciativa u bë e mundur falë angazhimit të deputetes së Qarkut Shkodër, Edona Bilali, e cila prej më shumë se një dekade ka qenë pjesë e botës akademike.
Bilali vetë ka ndjekur me sukses një nga këto programe doktorale në Austri, ku u diplomua me vlerësimin maksimal “Summa Cum Laude”, gradim që përfaqëson nivelin më të lartë akademik. Në ceremoninë e diplomimit, ajo mbajti edhe fjalën hapëse si folëse e nderit – një privilegj që i jepet personaliteteve të spikatura në fushën e tyre.
Pas përfundimit të studimeve, deputetja ka shfrytëzuar lidhjet dhe eksperiencën e saj për të sjellë këtë mundësi në vendlindje. Një vit më parë, së bashku me zëvendësrektoren e Universitetit të Shkodrës, Blerta Dragusha, ajo zhvilloi një vizitë zyrtare në Austri, e cila i hapi rrugën marrëveshjes së finalizuar këtë vit.
Ky bashkëpunim pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së kërkimit shkencor dhe përgatitjen e doktorantëve shqiptarë në një ambient ndërkombëtar, duke hapur horizonte të reja për universitetin dhe për gjithë rajonin e Shkodrës. /Albinfo.at
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake