Një mbrëmje e mbushur me emocione, ritme e krenari kulturore shqiptare u zhvillua në selinë e Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), në kuadër të Asamblesë së 66-të të Përgjithshme të kësaj organizate, transmeton albinfo.ch.
Shqipëria u prezantua me një ekspozitë zyrtare dhe një program të pasur artistik, duke sjellë frymën dhe trashëgiminë e saj të veçantë kulturore përballë një audience ndërkombëtare.
Në qendër të kësaj mbrëmjeje qëndroi Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, i cili mahniti të pranishmit me një performancë autentike të muzikës dhe valleve tradicionale shqiptare.
Ritmet e gjalla dhe kostumet shumëngjyrëshe krijuan një atmosferë festive, duke promovuar jo vetëm artin shqiptar, por edhe vlerat që e bëjnë këtë kulturë unike në Ballkan dhe më gjerë. Aktiviteti u mirëprit nga përfaqësues të shteteve anëtare të WIPO-s, diplomatë, personalitete ndërkombëtare dhe dashamirës të kulturës.
Ky prezantim ishte një dëshmi e fuqishme se kultura dhe identiteti kombëtar shqiptar mbeten burim krenarie dhe frymëzimi, kudo në botë.



