Gazsjellësi Transadriatik nuk do ta përfundoj projektin ballkanik në Shqipëri, për të kaluar më pas në Itali, por nëpërmjet projektit Joniano-Adriatik do të vazhdojë rrugëtimin nëpër vendet e rajonit deri në Kroaci. Shqipëria në këtë projekt do të jetë nyje që lidhë Italinë dhe vendet e Adriatikut me gaz.
Projektit Joniano-Adriatik nis në Fier dhe duke përshkuar vijën bregdetare drejt veriut, arrin në Malin e Zi e më pas përfundon në Split të Kroacisë. Sipas studimit të fizibilitetit, gazsjellësi do të jetë rreth 511 kilometra i gjatë dhe do të kushtojë 617.6 milionë euro, para që do të financohen nga BE.
Në pjesën shqiptare shuma e investimit është parashikuar të jetë rreth 170 milionë euro dhe do të realizohet përgjatë periudhës 2017-2020.
Një ditë më parë, ministrat e Energjisë së katër vendeve të rajonit, ai Shqipërisë, Bosnjës, Malit të Zi dhe Kroacisë, ranë dakord ta kualifikojnë projektin në listën e prioriteteve që do t’i propozohen Bashkimit Evropian për financim. Për Malin e Zi dhe Bosnjën, gazsjellësi krijon akses në rrjetet e gazit.
Për Shqipërinë, veç investimeve në masën 170 milionë euro dhe krijimit të 250 vendeve të reja të punës, ai mundëson shtrirjen e rrjetit të gazit në zonat më të populluara të vendit. Gazsjellësi Transadriatik ndalon në Fier duke vazhduar drejt Italisë, ndërsa linja Joniano-Adriatike bën të mundur që tubacioni të shtrihet edhe në qytetin e Durrësit, atë të Tiranës dhe Shkodrës.
Paralelisht, ndërtimi i këtij gazsjellësi rrit edhe më shumë pozitat gjeostrategjike të Shqipërisë në rajon, duke e shndërruar atë në nyje të rrjetit rajonal të gazit, raporton TCH. Sipas studimit, gazsjellësi do të transportojë 5 miliardë metër kub gaz në vit, prej të cilave 1 miliardë metër kub do të konsumohen në Shqipëri, 0.5 miliardë në Mal të Zi dhe pjesa tjetër në Bosnje e Kroaci.
Linja është projektuar të funksionojë në dy drejtime, që do të thotë se mund të transportojë gaz si nga Shqipëria drejt Kroacisë, ashtu dhe anasjelltas. Së bashku me autostradën Durrës-Nish, gazsjellësi Joniano-Adriatik është projekti më i rëndësishëm që vendet e rajonit do i propozojnë Bashkimit Evropian.