Autoritetet shqiptare në koordinim me institucionet e Italisë, kanë goditur në bashkëveprim, një grup kriminal me shtrije ballkanike, që merrej me prostitucion dhe shitje të narkotikëve. Si rezultat janë arrestuar 14 persona, 8 shqiptarë, 5 rumunë dhe 1 person shtetas italian.
Dy shqiptarët janë arrestuar në Tiranë dhe në Durrës, ndërsa 6 të tjerët, së bashku me rumunët dhe italianin, janë prangosur në Itali.
Operacioni i koduar me emrin “Balcania”, ka nisur rreth orës 05:30 të ditës së enjteje dhe është shtrirë në qytetet Rimini, Foxhia, Ravenna dhe Piacenca; ndërsa në Shqipëri, në Tiranë e Durrës.
“Të gjithë personat e arrestuar dyshohen se janë pjesë e një grupi kriminal të organizuar, i përfshirë në shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe shfrytëzimin e prostitucionit në zonën e Riminit”, saktësuan burimet policore, raporton TCH. Policia shqiptare dhe ajo italiane janë duke vijuar hetimet, ndaj deri tani kanë publikuar vetëm inicialet e të arrestuarve në këtë proces.