Të paktën 15 persona kanë humbur jetën pasi një kamikaz hodhi veten në erë në kishën Mar Elias në lagjen Dweila të kryeqytetit të Sirisë, Damask.
Ngjarja shënon sulmin e parë vetëvrasës brenda Damaskut, që kur Bashar al-Assad u rrëzua nga një kryengritje rebele e udhëhequr nga islamistët në muajin dhjetor.
Ministria e Brendshme e Sirisë ka njoftuar se kamikazi ishte anëtar i Shtetit Islamik. Ai hyri në kishë, hapi zjarr dhe më pas aktivizoi jelekun e tij shpërthyes, shton ministria në një deklaratë, transmeton albinfo.ch.
Mediat e huaja, duke i cituar burimet e tyre kanë raportuar se dy burra ishin të përfshirë në sulm, përfshirë atë që hodhi veten në erë.