Më 25 maj pritet të nisë një nga stërvitjet më të mëdha ushtarake shumëkombëshe në rajon, “Defender Europe 25”, nën drejtimin e Komandës Evropiane të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USEUCOM). Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, përmes një postimi në Facebook, transmeton albinfo.ch.
Sipas Vengut, kjo stërvitje do të përfshijë forcat e NATO-s dhe partnere, të cilat do të angazhohen në ushtrime të përbashkëta në Shqipëri dhe Kosovë. Ai theksoi se objektivi i stërvitjes përfshin mbrojtjen e objekteve kritike, operacione sulmuese dhe mbrojtëse, si dhe sigurimin e pikave kyçe të dislokimit.
“Një test i ndërveprueshmërisë dhe një mesazh i qartë: NATO është e bashkuar”, shkroi ministri Vengu.
Ndërkohë, edhe ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka konfirmuar pjesëmarrjen e vendit në këtë stërvitje. Ai ka deklaruar se përgatitjet në Kosovë po zhvillohen sipas planit dhe në bashkëpunim të ngushtë me aleatët.
Stërvitja “Defender Europe 25” synon forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe ndërveprueshmërisë mes forcave aleate në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë, transmeton albinfo.ch.