Qytetarët shqiptarë do t’u drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur 140 deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë.
Në zgjedhjet parlamentare, të drejtën e votës, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Brendshme, e kanë 3.713.761 shtetas shqiptarë, brenda e jashtë vendit, nga të cilët 114.642 të rinj do të votojnë për herë të parë.
Gjithashtu, edhe 3.027 persona të dënuar dhe të paraburgosur pritet të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në 21 institucione të ekzekutimit të vendimeve penale, transmeton albinfo.ch.
Më 11 maj, 5.225 qendra votimi do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në 19:00.
Për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, votimi dhe numërimi elektronik do të jetë në të gjitha qendrat e votimit të Njësisë nr. 10 në Tiranë dhe të Bashkisë së Vorës.
Për herë të parë u bë e mundur përfshirja e emigrantëve shqiptarë në këtë proces zgjedhor, në mënyrë që ata të ushtronin të drejtën e votës përmes postës nga shteti ku kanë vendqëndrimin, pa pasur detyrim të vijnë në Shqipëri, transmeton albinfo.ch.
SPAK, KQZ dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë ngritur një Task-Forcë të përbashkët për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Gjithashtu, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash dhe ka trajnuar 6.838 efektivë me uniformë dhe 813 specialistë për hetimin e krimeve zgjedhore dhe ruajtjen e objekteve zgjedhore.