Duket se kryeministri Kurti, ka ngulur këmbë të shtunën se nuk do ta ndryshojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, me gjithë mungesën e votave, duke thënë se emërimi i kryeparlamentarit dhe formimi i Kuvendit të ri është detyrë e të gjitha partive parlamentare, përcjell albinfo.ch.
“Kuvendi nuk themelohet nga fituesi, pavarësisht se a është ai fitues absolut apo relativ, Kuvendi themelohet nga të gjithë dhe bashkë; nga vendi i parë së bashku me vendin e dytë, tretë dhe pakicat serbe dhe joserbe”, tha Kurti të shtunën duke folur në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.
Tre muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kosova vazhdon të jetë pa Kuvend funksional, pasi deputetët kanë dështuar trembëdhjetë herë radhazi deri tani ta konstituojnë Kuvendin e ri.
Lëvizja Vetëvendosje doli e para duke i fituar 48 ulëse, 13 më pak se të paktën 61 të nevojshme për të qeverisur e vetme.
Megjithëse janë thirrur dhjetëra seanca për konstituimin e Kuvendit, ndarjet politike kanë penguar vazhdimisht këtë proces.
Vetëvendosje nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.
Haxhiu shihet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si një “figurë përçarëse”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se nuk do ta mbështesë asnjë kandidat të Vetëvendosjes për kryeparlamentar.
Por, Kurti një ditë para seancës së radhës të dielën e përsëriti se Vetëvendosje nuk e ka ndër mend të sjellë kandidat tjetër pos Haxhiut.
“Propozimi ynë është Albulena Haxhiu, ndërsa të tjerët lë ta propozojnë kandidatin e tyre kur t’u takon atyre. Neve si fitues të zgjedhjeve na takon pozita e kryetarit”, tha Kurti.
Haxhiu dështoi në gjashtë seanca t’i merrte më shumë se 57 vota dhe pas kësaj, në seancat pasuese, kryesuesi i seancës që vjen nga Vetëvendosje, propozoi formimin e një komisioni për mbikëqyrjen e votimit të fshehtë për kryeparlamentar.