Gjurmë aditivësh, të përdorur zakonisht në prodhimin e gomave, janë zbuluar në të gjitha kategoritë e frutave dhe perimeve që konsumohen më shpesh në Zvicër, përcjell albinfo.ch.
Kjo del nga një studim i përbashkët i Institutit Politeknik Federal të Lozanës (EPFL) dhe Zyrës Federale për Sigurinë Ushqimore dhe Veterinarisë (FSVO).
Rezultatet tregojnë se këto ushqime janë të ekspozuara ndaj kimikateve, që vijnë nga përdorimi i gomave në rrugë.
Gomat përmbajnë aditivë për t’i siguruar kapjen, elasticitetin dhe forcën, toksiciteti i të cilëve ende nuk dihet me siguri.
Këto grimca përhapen në atmosferë, depozitohen në tokë ose mbahen nga ujërat e kullimit.
Frutat dhe perimet thithin grimcat, të cilat më pas kalojnë te njeriu përmes konsumit të ushqimit.
Shkencëtarët nuk janë ende të vetëdijshëm për pasojat afatgjata të këtij ekspozimi në shëndetin e njeriut.