Raportohet se policia e Shqipërisë ka arrestuar në pikëkalimin kufitar Morinë një shtetas të Kosovës, i cili po kërkohej ndërkombëtarisht nga Austria për “vrasje të mbetur në tentativë”, “plagosje të rëndë” dhe “vjedhje”, përcjell albinfo.ch.
H.L., 41-vjeçar nga Deçani, po kërkohej nga Interpol Vjena.
Bëhet e ditur se ai pritet të ekstradohet në Austri.
“Në këtë kuadër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës dhe si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me Interpol Tiranën, u ndalua dhe u vu në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Austrisë, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar H.L., 41 vjeç, banues në Deçan, Kosovë. Gjatë verifikimeve dhe intervistimit në vijë të dytë, në hyrje të vendit, rezultoi se 41-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Vjena, pasi autoritetet austriake kanë lëshuar ndaj tij urdhër arresti, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “vrasje e mbetur në tentativë”, “plagosje e rëndë” dhe “vjedhje”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Austri, vijon procedurat për ekstradimin e 41-vjeçarit”, ka njoftuar Policia e Shtetit.