Mësohet se Lidhja Demokratike e Kosovës do të bëjë kallëzim penal ndaj Albin Kurtit si kryeministër në detyrë dhe deputetëve të Vetëvendosjes që kanë ushtruar pozita të ministrave, ka thënë deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami. Kjo, siç ka thënë ajo, për shkak se ata kanë ushtruar mandatin për një periudhë që nuk është e lejuar, përcjell albinfo.ch.
Deputetja Hykmete Bajrami ka thënë se në vazhdim do t’i shqyrtojnë mundësitë për në Gjykatën Kushtetuese.
“Komisioni për verifikim i ka njohur si faktike dorëheqjet deklarative të kryeministrit dhe ministrave, që nënkupton se nga 27 marsi, kur është bërë certifikimi i zgjedhjeve, të gjithë kanë bërë shkelje duke ushtruar funksionin e kryeministrit dhe ministrave. LDK-ja do të bëjë kallëzim penal lidhur me ushtrimin e mandatit që këta e kanë bërë nga 27 marsi deri sot. Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim. Fillimisht do të bëjmë kallëzim penal, e më pas do të shohim hapat për në Kushtetuese,” ka thënë ajo.
Bajrami ka shtuar se LDK-ja nuk ka votë për kandidatët që i propozon LVV-ja për kryeparlamentar.