Iniciativa qytetare në Kosovë “Asnjë cent më shumë” ka paralajmëruar se protestat kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike do të vazhdojnë pa ndërprerje.
Përfaqësuesi i kësaj iniciative, Luan Hasanaj, në një deklaratë për mediat në Kosovë theksoi se qytetarët do të vazhdojnë me kundërshtimin e tyre deri në plotësimin e kërkesave kryesore, që përfshijnë shkarkimin e bordit aktual të ZRrE-së, pezullimin e vendimit për shtrenjtim të rrymës dhe hapjen e një dialogu gjithëpërfshirës me grupet e interesit.
“Protestat do të jenë të vazhdueshme. Ne nuk do të ndalemi dhe kundërshtimi ynë do të rritet. Kërkojmë shkarkimin e këtij bordi skandaloz dhe emërimin e një bordi që punon për interesat e qytetarëve. Gjithashtu kërkojmë pezullimin e vendimit për rritjen e çmimit të rrymës dhe nisjen e një dialogu me të gjitha grupet e interesit”, deklaroi Hasanaj, përcjell albinfo.ch
Protesta e radhës është paralajmëruar për ditën e shtunë, më 19 prill, nga ora 12:00, në Sheshin “Skënderbe” në Prishtinë.
Kjo do të jetë protesta e tretë kundër vendimit të ZRrE-së, pas atyre të mbajtura më 5 dhe 11 prill.