Lista Serbe ka mohuar kategorikisht zërat se mund të mbështesë një mandat të ri të Qeverisë Kurti, duke i quajtur këto pretendime “rrenë të pastër” dhe “lojëra të brendshme” të Vetëvendosjes.
Deklarata e kësaj partie vjen pas mesazheve që dolën në publik se deputetët e Listës Serbe mund të votonin në favor të Qeverisë Kurti, në një kohë kur vendi ndodhet në një bllokadë institucionale, pasi dështoi mbajtja e seancës konstituive të Kuvendit, shkruan albinfo.ch.
“Duke marrë në konsideratë deklaratat që vijnë nga aleatët më të afërt të Kurtit, duam të theksojmë publikisht se përkrahja e supozuar nga deputetët e Listës Serbe është rrenë e pastër. Ndoshta është dëshirë e tyre, insinuatë apo diçka tjetër, por ne e ritheksojmë qartë dhe publikisht se është e pavërtetë”, thuhet në reagimin e partisë.
Ata shtojnë se Vetëvendosje është e vetëdijshme për këtë, por sipas tyre, përhapja e këtyre lajmeve është pjesë e një strategjie të brendshme politike.
Kjo parti ka paralajmëruar se do të vazhdojë të “luftojë për interesat e popullit serb brenda Parlamentit në Prishtinë”, shkruan albinfo.ch.