Asambleja Qytetare në Zvicër ka dalë në favor të vendosjes së një takse për pijet dhe ushqimet me sheqer, si pjesë e një sërë propozimesh për promovimin e shëndetit publik.
Paneli gjithashtu mbështet rritjen e taksave ekzistuese për alkoolin dhe duhanin.
Qëllimi është të reduktohet konsumi, duke i bërë këto produkte më pak të përballueshme, transmeton albinfo.ch.
Asambleja thotë se taksa të tilla stimuluese mund të luajnë një rol kyç në përmirësimin e shëndetit të përgjithshëm të popullsisë.
Asambleja Qytetare u lançua si pjesë e një projekti pilot federal që synon të përfshijë publikun më drejtpërdrejt në politikëbërje.
100 pjesëmarrësit u zgjodhën në mënyrë të rastësishme nga e gjithë Zvicra, për të pasqyruar diversitetin gjuhësor, rajonal dhe demografik të vendit.
Gjatë disa fundjavave, ata morën kontributin e ekspertëve dhe zhvilluan diskutime përpara se të votonin për një sërë rekomandimesh.
Raporti i tyre përfundimtar do t’i dorëzohet Ministres Federale të Shëndetësisë, Elisabeth Baume-Schneider, më 20 maj.