Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Sudanit, në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalias, ka njoftuar se ky vend ka vendosur ta njohë pavarësinë e Kosovës.
Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Osmani ka deklaruar se shtetet janë dakorduar për themelimin e raporteve diplomatike.
“Sudani e ka njohur Republikën e Kosovës dhe dy vendet tona kanë rënë dakord për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Faleminderit nga populli i Republikës së Kosovës. Ky është fillimi i një partneriteti të madh!”, ka shkruar ajo.
Ndryshe, njohja nga Sudani është e 119-ta për pavarësinë e Kosovës dhe vjen dy javë pas njohjes nga Kenia.