Të shtunën, dhjetëra mijëra qytetarë spanjollë dolën në rrugë në mbi 40 qytete, për të protestuar kundër krizës së strehimit dhe spekulimeve në tregun e banesave. Vetëm në Madrid dhe Barcelonë, u mblodhën rreth 250,000 protestues, sipas organizatorëve.
Protesta, nën moton “T’i japim fund biznesit të banesave”, u drejtua nga organizata të qiramarrësve dhe grupe të majta, që akuzojnë qeverinë për kthimin e banesave në mallra tregu. Ata kërkojnë ulje të detyruar të qirave, ndalimin e dëbimeve të banorëve, rritje të banesave sociale dhe shpronësim të pronave të braktisura apo të spekuluara, përcjell albinfo.ch.
Kriza është përkeqësuar nga turizmi masiv dhe pronësia e huaj e pasurive të paluajtshme, sidomos në qytete si Barcelona, ku qiratë janë rritur me 60% në pesë vitet e fundit. Qeveria ka planifikuar ndërtimin e 600,000 apartamenteve të reja, por vetëm 100,000 u ndërtuan në vitin 2024.
Kryeministri Pedro Sanchez ka nisur disa masa për kufizimin e qirave dhe taksimin e pronarëve të huaj, por qiramarrësit thonë se këto nuk mjaftojnë. Ata kërkojnë ndërhyrje urgjente për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të mbrojtur të drejtën për strehim të klasës punëtore, ndërsa paralajmërojnë përshkallëzim të protestave nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh, shkruan DW, transmeton albinfo.ch.