Presidenti francez Emmanuel Macron reagoi për herë të parë pas dënimit të lideres së ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, për përvetësim të fondeve të BE-së, duke theksuar se “ligji është i njëjtë për të gjithë” dhe duke dënuar kërcënimet ndaj gjyqtarëve.
Sipas zëdhënëses së qeverisë, Sophie Primas, Macron deklaroi gjithashtu se të gjithë të dënuarit kanë të drejtën e apelimit.
Një panel prej tre gjyqtarësh e shpalli Le Pen fajtore dhe e dënoi me katër vjet burg – dy në arrest shtëpie dhe dy të pezulluara – si dhe një gjobë prej 100,000 eurosh. Gjykata e ndaloi gjithashtu atë të kandidojë për poste publike për pesë vjet, duke vënë në pikëpyetje pjesëmarrjen e saj në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Megjithatë, një vendim përfundimtar do të merret nga Gjykata e Apelit e Parisit, e cila pritet të shqyrtojë çështjen deri në verën e vitit 2026, përcjell albinfo.ch.
Vendimi ka ngjallur reagime të ashpra, veçanërisht nga mbështetësit e Le Pen, të cilët e cilësuan atë si antidemokratik. Disa kundërshtarë të saj kanë vënë në dyshim nëse gjykatat duhet të zbatojnë ndalimet menjëherë, pa pritur përfundimin e apelimit.
Në Francë, shumica e dënimeve rishikohen gjatë këtij procesi. Reagimet publike çuan gjithashtu në kërcënime ndaj gjyqtarëve, duke bërë që një prej tyre të vendoset nën mbrojtjen e policisë.