Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka njoftuar për ekstradimin e dy të akuzuarve për mashtrim të qytetarëve amerikanë, përcjell albinfo.ch.
Në njoftimin e ambasadës thuhet se, falë koordinimit me autoritetet në Kosovë, dy të pandehurit janë ekstraduar në SHBA për t’u përballur me drejtësinë për akuzat.
“E vlerësojmë shumë vazhdimin e bashkëpunimit të autoriteteve kosovare në mbështetje të qeverisë amerikane për këtë rast, i cili forcon përpjekjet tona të përbashkëta për të ruajtur sigurinë e Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”, thuhet tutje në njoftim.
Më 12 dhjetor të vitit të kaluar, Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka njoftuar për ndalimin e një faqeje interneti dhe tregu të jashtëligjshëm, si dhe për arrestimin e dy administratorëve të kësaj faqeje, Rydox, të cilët janë shtetas kosovarë me inicialet A.K. dhe J.K.
Lidhur me rastin, është arrestuar edhe një shtetas tjetër kosovar me inicialet Sh.S., i cili pritet të akuzohet dhe të ndiqet penalisht në Shqipëri.
Ata akuzohen se për më shumë se tetë vjet kanë kryer këtë vepër penale.