Ministria e Brendshme njoftoi se në disa lokacione në qendër të Beogradit ndodhën incidente dhe përleshje mes disa pjesëmarrësve të protestës, “të cilët sulmuan disa herë anëtarët e policisë, duke u përpjekur t’i pengonin ata në kryerjen e detyrave të tyre dhe për të shkaktuar trazira më të mëdha”.
Studentët në bllokadë njoftuan se protesta ka përfunduar pasi “nga Parku Pionir u hodhën guralecë”.
“Protesta studentore ka përfunduar. Rojet tona hoqën jelekët. Apelojmë që qytetarët të tërhiqen sigurt,” thanë studentët në rrjetet sociale.
Organizatorët e protestës u distancuan nga këto incidente, duke theksuar se tubimi i tyre ishte paqësor dhe se ata nuk mbështesin dhunën.
Pjesëmarrësit filluan të shpërndahen pas orës 20:00 nga sheshi Slavija në Beograd, pasi protesta studentore dhe programi u ndërprenë. Fillimisht ishte njoftuar se protesta do të vazhdonte deri në orën 21:00.
Para protestës, autoritetet paralajmëruan për mundësinë e trazirave. Megjithatë, qeveria organizoi mbështetësit e saj në parkun përballë Kuvendit të Serbisë, duke rritur rrezikun e mundshme përshkallëzimi të situatës. Gjatë ditës, një numër i madh i forcave të policisë ishte i pranishëm rreth Parkut Pionir dhe Kuvendit.
Ky tubim përfaqëson kulmin e protestave disa mujore që filluan pas tragjedisë në Novi Sad, ku më 1 nëntor 2024, për shkak të shembjes së çatisë në stacionin hekurudhor, humbën jetën 15 persona. Qytetarët akuzojnë qeverinë se aksidenti ndodhi për shkak të korrupsionit dhe neglizhencës. Protestat janë udhëhequr nga studentët e universiteteve për gati katër muaj. Demonstruesit kanë kërkuar përgjegjësi dhe drejtësi për viktimat e tragjedisë, duke besuar se ajo është pasojë e korrupsionit sistemik dhe mosrespektimit të rregulloreve të sigurisë.
Kjo protestë vlerësohet si një nga protestat më të mëdha në historinë e fundit të Serbisë dhe përbën një shprehje të rëndësishme të pakënaqësisë së qytetarëve ndaj qeverisë aktuale, të cilët kërkojnë transparencë, përgjegjësi dhe respektimin e parimeve demokratike.
Studentët bënë thirrje qytetarëve që të vazhdojnë mbështetjen e tyre për luftën e tyre për ndryshime shoqërore. (Rtklive. com)