Xherdan Shaqiri, pas lëndimit muskulor që e pati javën e kaluar, do të startojë nesër në ndeshjen derbi ndaj Young Boys-it, përcjell albinfo.ch.
Ndeshja zhvillohet nesër nga ora 16:30 dhe është e rëndësishme për të dyja ekipet që po luftojnë për titull kampioni.
Vlen të theksohet se ky duel takon xhiros së 28-të të kampionatit elitar të Zvicrës.
Vikendin e kaluar, Baseli luajti 1:1 në udhëtim te Luzerni, ndërsa Shaqiri, shkaku i telasheve muskulore, luajti vetëm në pjesën e parë.
“Ai po ndihet mirë tani”, ka thënë trajneri Fabio Celestini në konferencën për shtyp të premten mbrëma.
Baseli ka shitur 26 mijë bileta për duelin ndaj Young Boys-it, që është kampion në fuqi i Zvicrës.
Shaqiri, 33-vjeçar, ka zhvilluar 26 ndeshje në të gjitha garat e edicionit aktual. Ka shënuar 11 gola dhe ka dhuruar 12 asistime.