Sot, mijëra serbë janë mbledhur në kryeqytetin e Serbisë, Beograd, në një protestë antiqeveritare, duke paralajmëruar edhe dhunë, përcjell albinfo.ch.
Studentëve iu bashkuan në qendër të Beogradit edhe shumë qytetarë nga i gjithë vendi, ndërsa pritet që protesta të intensifikohet në çdo moment.
Vlen të theksohet se godinat qeveritare dhe ajo e Parlamentit serb janë rrethuar me masa të forta sigurie.
Nga ana tjetër, pritet të mos mungojnë as mbështetësit e Vuçiçit.
Vetë presidenti serb, Vuçiç, mbrëmë në një dalje publike për mediat, ka paralajmëruar se nuk do të tolerojë dhunën dhe se ata që prishin qetësinë do të arrestohen e ndëshkohen rëndë.
“U bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Serbisë që të qëndrojnë të qetë. U kërkoj prindërve, pasi kemi shumë indikacione, shumë grupe që paralajmërojnë dhunë, të mos i nxjerrin fëmijët në rrugë nëse nuk është e nevojshme. Shteti i Serbisë do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar paqen”, shprehet Vuçiç.
Protestuesit kërkojnë ndëshkimin e përgjegjësve për shembjen e strehës që solli vdekjen e 15 personave në stacionin hekurudhor të Novi Sadit nëntorin e vitit të kaluar.
Përpara protestës, mediat proqeveritare kanë transmetuar përgjime të organizatorëve të protestës, ku thuhet se ata po mbledhin maska kundër gazit lotsjellës.