Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka urdhëruar që të rinumërohen të gjitha qendrat e vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë.
Ky vendim i Prokurorisë vjen pasi kandidatja për deputete nga LDK, Rrezarta Krasniqi ka akuzuar se ka pasur keqpërdorimin e votave në disa qendra.
Sipas vendimit të Prokurorisë, e që është siguruar nga Telegrafi, thuhet se ekziston dyshimi se ka pasur manipulim të vota për ta ndihmuar kandidatin tjetër të LDK-së, Xhafer Tahiri.
Mes tjerash, Krasniqi ka deklaruar se edhe komisionerët kanë qenë familjarët të Xhafer Tahirit.
“Të bëhet rinumërimi i votave që kanë rezultuar nga të gjitha qendrat e vendvotimeve në komunën e Vushtrrisë, si dhe rinumërimi për kandidatët e Kuvendit të Republikës së Kosovës në zgjedhjet parlamentare të Kosovës, të organizuara më 9 shkurt”, thuhet në vendimin e prokurorisë..
Zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më 9 shkurt.