Për herë të parë në Kosovë qytetarët kosovarë që jetojnë jashtë vendit do të kenë mundësinë të votojnë më herët se ata që ndodhen brenda vendit.
Kjo është një mundësi e re që u ofrohet mbi 100 mijë votuesve të regjistruar, të cilët kanë zgjedhur një nga tri mënyrat e votimit në distancë.
Votuesit kanë tri opsione: Votim fizik në përfaqësitë diplomatike: Kjo do të zhvillohet më 8 shkurt 2025, një ditë para zgjedhjeve në Kosovë. Orari i votimit është nga ora 07:00 deri në ora 19:00, sipas orës lokale të vendit përkatës. Dërgimi i fletëvotimit me postë në Kosovë: Kjo periudhë zgjat nga 9 janari deri më 8 shkurt 2025. Vota duhet të ketë vulën e dërgimit para ditës së zgjedhjeve. Dërgimi i fletëvotimit me postë në kutitë postare të hapura jashtë Kosovës: Kjo është mënyra më e popullarizuar dhe periudha e votimit është e njëjtë si në rastin e mëparshëm, pra nga 9 janari deri më 8 shkurt 2025.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, theksoi se afatet e votimit janë përcaktuar me saktësi në përputhje me ligjin. Ai shtoi se numërimi i fletëvotimeve të dërguara nga përfaqësitë diplomatike do të bëhet në Kosovë.