Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur shqetësimin për moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror Zgjedhor.
“Jemi thellësisht të shqetësuar me veprimet e disa anëtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për të mos certifikuar kandidatët e Listës Srpska”, ka thënë për Klankosova.tv njëri nga zëdhënësit e Ambasadës së SHBA-së përmes një përgjigje me email.
“Veprimet e KQZ-së rreptësisht duhet të kufizohen në zbatimin e standaredeve dhe procedurave ligjore dhe çdo vendim për moskualifikimin e kandidatëve duhet të bazohet vetëm në zbatim të barabartë të ligjit. Procesi zgjedhor duhet të jetë transparent, i besueshëm dhe pa ndërhyrje politike”.
“Ne jemi të shqetësuar nga përfshirja e hapur e kritereve të motivuara politikisht në procesin e certifikimit të kandidatëve në KQZ”.
SHBA-ja u ka bërë thirrje palëve që kanë probleme me KQZ-në që ta shfrytëzojnë PZAP-në për t’u ankuar.