Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar mbërritjen e internetit të Starlinkut në Kosovë.
Kurti e ka vlerësuar këtë si hap të rëndësishëm për avancimin e infrastrukturës digjitale.
“Starlink tash edhe në Kosovë. Pas lëshimit të autorizimit nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Starlink ka filluar shërbimet satelitore të qasjes në internet edhe në Kosovë. Ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për qasjen në internet në çdo lokacion e cep të territorit të Republikës së Kosovës. Starlink është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve të tjera të emergjencave kombëtare”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Mbërritjen e Starlink e ka përshëndetur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Mirësevjen në Kosovë”, ka shkruar Osmani në “X”, ndërsa ka përmendur Starlinkun dhe Elon Muskun.
Të shtunën Starlink ka njoftuar se ka nisur shërbimet në Kosovë.
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare kishte lëshuar autorizimin për Starlinkun disa javë më parë.