Tre muaj pasi Sanija Ameti kishte shkaktuar një stuhi me një veprim të saj të pamenduar, politikania është kthyer – dhe përshkruan mbrëmjen në të cilën pati postuar një foto të Marisë, të shpuar me të shtëna nga revolja, transmeton albinfo.ch.
Edhe pse e pati me shpejtësi postimin, stuhia zgjati me ditë të tëra. Për pasojë, Ameti pati humbur punën dhe u “u hodh në ilegalitet”.
Tani Ameti paraqitet për herë të parë në një intervistë për javoren “Schweiz am Wochenende” dhe flet për mbrëmjen fatale si dhe të ardhmen e saj politike.
Ameti, siç sqaron tani, kishte qenë e mbingarkuar dhe e lodhur atë mbrëmje, qitja sportive e ndihmonte atë në situata të tilla. “Kështu që unë shkova në bodrum. Para derës kishte një pirg letrash të vjetra, me katalogun e shtëpisë së ankandit Koller sipër. E grisa një faqe dhe e ngjita në mur pa e menduar”.
Ajo kishte menduar për vëllain e saj mbi të cilin ishte shtënë me armë në luftën e Bosnjës
Gjatë gjuajtjes, ajo mendoi për vëllain e saj, i cili u qëllua para se të ikte nga ish-Jugosllavia. “Kur shikova foton në mur, nuk pashë më asgjë. Thjesht ndjeva dhimbje”. Celulari ishte afër, kështu që ajo shpërndau spontanisht foton në Instagram: “Ishte impulsive dhe e pamenduar”.
Ameti kërkoi falje dhe e fshiu menjëherë postimin, por pamjet e ekranit u përhapën me shpejtësi – dhe shkaktuan një stuhi kritikash. Reagimet e dhunshme në internet e goditën shumë, por gjithsesi ajo lexonte çdo koment. Ajo thekson: “Ato (të shtënat) nuk kanë asnjë qëllim, nuk kanë kuptim, më vjen turp dhe kërkoj falje për këtë”.
Gjithashtu Ameti e bën të qartë në intervistë se nuk dëshiron të tërhiqet nga partia dhe nga politika: “Si këshilltare e zgjedhur vendore (në Asamblenë e Cyrihut) dhe bashkëkryetare e Operacionit Libero, dua të përmbush detyrimet e mia dhe besimin e dhënë”. Por Presidenti i partisë Jürg Grossen megjithatë kishte bërë thirrje për përjashtimin e saj, përcjell albinfo.ch. E pyetur se ku do të shkonte nëse do të përjashtohej, Ameti thekson: “Unë jam politikane e Gjelbër-liberale dhe do të mbetem e tillë”.
“Më ka befasuar për të mirë reagimi i Kishës Katolike”
Ameti u befasua që Kisha Katolike, nga të gjithë të tjerët, u shfaq me qëndrim pajtues pas incidentit. “Pikërisht në Kishën Katolike, gjeta një humanizëm dhe një ndriçim që më mungonte në vende të tjera”, thotë ajo.