Në Bernë të shtunën kanë demonstruar për një zbatim të shpejtë dhe të barabartë të pagave në Zvicër më shumë se 12.000 gra dhe burra. Një tubim të tillë e kishin ftuar një koalicion i gjerë i 48 organizatave të grave nga e majta dhe e djathta.
Demonstruesit u mblodhën në qendër të Bernës, duke përsëritur kërkesat e tyre për barazi ndërmjet grave dhe burrave: “Liberte – égalité – Solidarité”. Duke u bazuar në aleancën e 48 organizatave të grave, në miting kanë folur me dhjetëra gra. Në mesin e protestuesve janë parë edhe aktivistë shqiptarë.
Këshilli Federal vendosi tetorin e kaluar në përpjekje për të proceduar ligjërisht kundër diskriminimit të pagave ndaj grave. Parimi i pagesës së barabartë për burrat dhe gratë është i paraparë edhe me Kushtetutën Federale që nga viti 1981.
Megjithatë, gratë në Zvicër fitojnë rreth 19 për qind më pak se burrat. Pothuajse gjysma e kësaj diference nuk mund të shpjegohet me anë të faktorëve objektivë dhe për këtë arsye bëhet fjalë për një diskriminim të paligjshëm të pagave në bazë të gjinisë.