Policia në Gjermani tha se tre veta u vranë dhe tetë të tjerë u plagosën rëndë në një sulm të premten në një festival në qytetin perëndimor gjerman, Solingen.
Sipas “Bild”, një person ka sulmuar me thikë disa persona që ishin pjesë e një festivali për të shënuar 650-vjetorin e Solingenit.
Autori besohet se ka ikur nga vendi i ngjarjes dhe është në kërkim, ndërkohë autoritetet e qytetit kanë kërkuar nga njerëzit të largohen nga zona.
Viktimat janë një grua dhe dy burra nga Solingeni dhe Dyseldorfi.
Duke u nisur nga rrethanat e ngjarjes, hetuesit e klasifikojnë krimin si një “sulm terrorist”.
“Sulmuesi goditi njerëzit në mënyrë të rastësishme me një thikë. Kjo është arsyeja pse ne aktualisht po hetojmë për një sulm”, thanë autoritetet policore.