Vrasja e një polici serb dhe plagosja e një tjetri, ka qenë kryetema e ditës së enjtë në vend dhe rajon. Autoritetet e Serbisë kanë shpallur në kërkim kosovarin Artan Hajrizin.
Hajrizi u kthye në të dyshuarin kryesor për këtë rast, meqë në vendngjarje, sipas autoriteteve serbe, u gjetën pasaporta e tij e lëshuar nga Republika e Kosovës dhe letërnjoftimi i Gjermanisë.
I targetuar si i dyshuari kryesor, vetë Artan Hajrizi dha deklarata të shumta në mediat e Kosovës, duke deklaruar se vëllai i tij, Faton Hajrizi, ia ka vjedhur dokumentet personale. Faton Hajrizi, i cili dy javë më parë u arratis nga Burgu i Smrekonicës, dyshohet se qëndron pas vrasjes së një polici dhe plagosjes së një tjetri.
Kërkimi për autorin po vazhdon edhe sot. Në bregun e majtë dhe të djathtë të Drinës janë duke u bërë kërkime masive, sipas mediave në Serbi.
Dyshohet se autori pas sulmit është drejtuar drejt lumit. Në kërkim janë përfshirë helikopterë dhe dronë.