Ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati dhe ministrja e Kulturës së Shqipërisë, Mirela Kumbaro u dakorduar të premten në Prishtinë, për themelimin e qendrave të përbashkëta kulturore në diasporë, të cilat do të shërbejnë si vende ku mësohet për gjuhën dhe kulturën shqiptare.
Ministrja Kumbaro theksoi krijimin e një modeli të qendrave kulturore që do të kishte sukses për shumë vjet.
Të dyja palët, ministri Murati dhe ministrja Kumbaro, u dakorduan që të kontribuojnë me projekte të përbashkëta të komunitetit artistik shqiptar, gjithnjë në të mirë të diasporës.
Në fokus të takimit ishte bashkëpunimi i Ministrisë së Diasporës me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë në aktivitetet kulturore “Ditët e kulturës shqiptare”, të cilat planifikohen të organizohen në diasporë bashkë me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë.
Murati e njoftoi ministren Kumbaro për punën dhe funksionimin e tri qendrave kulturore në diasporë, konkretisht në Turqi, Zvicër dhe Suedi. Madje, siç u tha në një kumtesë për media, funksionimi i këtyre tri qendra nxiti idenë që të formohen qendra të përbashkëta Kosovë-Shqipëri.