Synimet kryesore të Ministrisë së Diasporës janë ruajtja e kultivimi i gjuhës dhe i kulturës shqiptare, integrimi i diasporës në vendet ku jeton si dhe krijimi i kushteve për investimet e diasporës në Kosovë, të cilat do ta ndihmonin zhvillimin ekonomik të vendit.
Kështu deklaroi ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati gjatë një takimi që zhvilloi me ministren federale të Punëve të Brendshme të Austrisë, Johanna Mikl-Leitner. Kjo e fundit po qëndron në Kosovë, për të diskutuar me institucionet vendore, ndaljen e migrimit ilegal dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.
Ministrja austriake u njoftua nga ministri Murati për krijimin e 15 rrjeteve të bizneseve shqiptare në Evropë dhe botë, njëri ndër ta edhe rrjeti i bizneseve shqiptare në Austri, konkretisht në Vjenë.
Ministrja Mikl-Leitner tha se në Austri jeton një numër i madh i kosovarëve, shumica e të cilëve janë të integruar mirë në këtë shtet. Ndërsa si sfidë e përmendi rritjen e numrit të azilkërkuesve kosovarë, duke theksuar se diaspora shqiptare e Austrisë duhet të ndikojë dhe t’i njoftojë qytetarët e Kosovës se Austria nuk ofron azil.
Ajo pati një mesazh për qytetarët e Kosovës që të qëndrojnë në Kosovë, të kontribuojnë, sepse ikja nuk është zgjidhje. Në fund të takimit, ministrja e Punëve të Brendshme premtoi se shteti austriak do të ofrojë përkrahje për integrimin e diasporës dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.