Nisur nga sot (01.07.2024) të gjithë mërgimtarët që hyjnë me automjete në Kosovë mund t’i marrin në kufi policat e sigurimeve.
Polica e subvencionuar do të ketë vlefshmëri 1 muaj nga dita e lëshimit/hyrjes në Kosovë dhe subvencionohet vetëm për automjetet jokomerciale për pasagjerë, deri në 9 ulëse.
“Në subvencionim nuk përfshihen policat kufitare me afat vlefshmërie të ndryshme prej atij 1 mujor, si dhe nuk përfshihen automjetet e tjera, siç janë autobusët, kamionët, motoçikletat etj. Gjithashtu, policat që merren në zyrat e BKS brenda territorit, e jo në pikat hyrëse kufitare, nuk mbulohen nga subvencionimi”, ka njoftuar Hekuran Murati, ministër i Financave, Punës dhe Transfereve.
Dy vjetët e kaluar Qeveria e Kosovës po ashtu ka subvencionuar policat e sigurimeve për mërgimtarët, megjithatë, ata është dashur të paguajnë një herë e pastaj t’iu kompensoheshin.