Emisari për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, ka folur edhe për planin dhe propozimin e BE-së për atë se si duhet të zbatohet marrëveshja për Rrugën Drejt Normalizimit.
Në një intervistë për Kosovo Online, Lajçak ka thënë se parimi që BE-ja mendon se duhet ndjekur është një qasje e koordinuar hap pas hapi.
“Parimi që duhet ndjekur, për mendimin tonë, është një qasje e koordinuar hap pas hapi, ku të dyja palët marrin diçka për të bërë diçka – një qasje që do t’u siguronte të dyja palëve garanci të mjaftueshme se veprimet e dakorduara janë ndërmarrë. Kjo do të thotë se palët do të zbatonin atë që është në marrëveshje paralelisht – dhe propozimi ynë i fundit është që Kosova të fillojë procesin e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe dhe që Serbia të fillojë zbatimin e obligimit për njohjen dokumenteve , institucioneve dhe simboleve të Kosovës”, ka thënë Lajcak.
Emisari sllovak ka thënë se pret që vazhdimi i negociatave të jetë shumë i vështirë, meqë palët kanë qëndrime ende të ndara sa i përket zbatimit dhe se të dyjat kanë vendosur parakushte.