Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq ka deklaruar se, gjatë një muaji e gjysmë, policia serbe ka arrestuar 2.311 persona të cilët kanë tentuar që ilegalisht ta kalojnë kufirin Serbi-Hungari. Ai ka thënë se gjatë kësaj periudhë në Austri dhe Hungari kanë kërkuar azil rreth 70 mijë kosovarë.
Masat e ndërmarra nga policia, sipas ministrit Stefanoviq, kanë rezultuar me zvogëlimin e numrit të tentimeve të klandestinëve kosovarë për të kaluar ilegalisht kufirin me Hungarinë.
Për të parandaluar kalimin ilegal të kosovarëve në kufirit Serbi-Hungari, shteti Gjerman ka dërguar disa policë kufitar.
Sipas ministrit Stefanoviq, policia serbe ka vendosur kontakte bashkëpunimi me 20 policët gjermanë, të cilët me automjetet speciale dhe kamera termovizive, po i ndihmojnë policët serbë, raporton KPres.
Ministri serb ka thënë se vazhdimisht është në lidhje me kolegët e tij nga Gjermania, Austria dhe Hungaria, prej se në shkurt të këtij viti në mënyrë drastike u rrit numri i emigrantëve ilegalë. Sipas informatave të Stefanoviqit, në kampet e Hungarisë gjenden mbi 40 mijë njerëz, ndërsa në Austri 30.000.