Skip to content

Sonte shfaqet dokumentari “Besa” në Kinema du Bourg

Sonte në Kinema du Bourg do të transmetohet filmi "Besa, la promesse", Rue de Bourg 51, 1003 Lausanne. Hyrja falas.

“Besa: la promesse” një dokumentar i realizuar nga regjisorja amerikane Rachel Goslins do të transmetohet falas në kinemanë e njohur të Lozanës “du Bourg”. Kjo mbrëmje është e organizuar nga albinfo.ch në kuadër të javës së  Ekspozitës “Besa” e cila qëndron e hapur në Lozanë prej datës 10 deri me 21 shkurt (Forum de l’Hôtel de Ville).

“Në një vend të vogël, të quajtur Shqipëri, njerëzit e thjeshtë  kanë bërë një gjë të thjeshtë. Por kur e mendojmë më mirë, nuk ishte edhe aq e thjeshtë, ata ishin heronj të mëdhenj”, thuhet në këtë film.

“Besa:la promesse” tregon historinë shumë pak të njohur të shqiptarëve, të cilët rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar jetën e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore falë  kodit të tyre të lashtë moral. Dokumentari zhvillohet përmes historisë së dy burrave, Norman Gershman, një fotograf hebre-amerikan dheRexhep Hoxhës, një shqiptari, babai i të cilit kishte  strehuar hebrenj në atë kohë. Ai u  kishte premtuar se një ditë ka për t’i kthyer një seri librash të fshehura në shtëpinë e tij. Me ndihmën e Norman Gershman, Rexhep Hoxha fillon hetimet për të gjetur familjen në fjalë gjë që e çon deri në Izrael, dhe këtë vetëm për të nderuar premtimin/besën e babait të tij.

Në hyrje, është paraparë edhe një bisedë e shkurtër me Profesorin Sami Sandhaus, një i mbijetuar/shpëtuar i Holokaustit.

Kinemaja do t’i hapë dyert në orën 19:30, ndërsa projeksioni i filmit do të fillojë në orën 20:00. Të gjithë të interesuarit janë të mirëseardhur për të ndarë mbrëmje ku do të ringjallet një pjesë e historisë së shqiptarëve.

 

« Besa : La promesse »
Rachel Goslins – USA – 2012 – vost – 86 min.
Të enjten me 12 shkurt 2015
Hapja e barit në ora 19h30
Fillon në ora  20:00
Hyrja falas