Leverkuseni ka eliminuar Romën në Ligën e Evropës. Kampionët e Gjermanisë e mbyllën në barazim 2:2 duelin e kthimit ndaj Romës. Suksesi 0:2 në kryeqytetin italian ishte thelbësor për kualifikimin, me gjermanët që u hakmorën ndaj verdhekuqve dhe prenë biletën e finales irlandeze.
Paredes krijoi shpresë te Roma dhe frikë te gjermanët me dy penalltitë e ekzekutuara saktë. Por autogoli i Mancinit dhe eurogoli i kroatit Stanisic ruajtën pathyeshmërinë sezonale të “Aspirinave”.
Granit Xhaka si gjithmonë ishte nga fillimi i ndeshjes dhe luajti për 90 minuta.
Titull, finale e Kupës së Gjermanisë dhe Liga e Evropës. Leverkuseni mund ta kthejë këtë sezon në legjendar dhe të paharrueshëm për tifozët.
Atalanta shkruan historinë. Skuadra italiane siguroi finalen e parë evropiane falë suksesit 3-0 ndaj Marseille (1-1 ndeshja e parë). Lookman, Ruggeri dhe Toure realizuan golat e fitores për ekipin e Gasperinit, që në datën 22 maj do të përballet në finalen e Dublinit përballë Bayer Leverkusenit të Granit Xhakës.
Sukses i jashtëzakonshëm dhe i merituar edhe për Berat Gjimshitin, kapitenin e kombëtares shqiptare, i cili realizoi një tjetër ndeshje të madhe.