Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në konferencën e Partisë së Socialistëve Evropianë që u mbajt në Berlin, në kuadër të zgjedhjeve evropiane që pritet të mbahen më 9 qershor.
Ai ka shkruar se qëndrojmë bashkë në mbrojtje të demokracisë përballë autokracive në rritje në kontinentin tonë.
“Në nëntor të vitit të kaluar, Lëvizja VETËVENDOSJE! u bë anëtare e organizatës më të madhe socialdemokrate në Evropë. Qëndrojmë bashkë e të mobilizuar në mbrojtje të demokracisë, barazisë, solidaritetit dhe prosperitetit, përballë autokracive që kanosin mirëqenien, të drejtat e njeriut dhe sigurinë e kontinentit tonë”, ka shkruar Kryeministri Kurti.
Kjo konferencë, e mbajtur të shtunën në Berlin, theksoi premtimin që Partia e Socialistëve Evropianë do të jetë një zë i besueshëm dhe i fuqishëm kundër ekstremizmit të djathtë dhe për ruajtjen e demokracisë. Nuk do të ketë as bashkëpunim e as koalicione me të djathtën ekstreme në Parlamentin Evropian.