Dje në aeroportin e Dortmundit policia federale e Gjermanisë ka arrestuar një çift nga Kosova.
Sipas raportimeve, në gusht të vitit 2009 Gjykata Rajonale e Stuttgartit kishte dënuar çiftin me nga gjashtë vjet e gjashtë muaj burgim për pengmarrje, transmeton albinfo.ch.
Zyra e Prokurorit Publik të Stuttgartit ka lëshuar një urdhër për arrestimin e 60-vjeçarit dhe gruas së tij 63-vjeçe, raporton t-online.
“Pasditen e së mërkurës, çifti, që po shoqëroheshin nga mbesa e tyre tetëvjeçe, tentuan të kalonin përmes zyrtarëve doganorë pas fluturimit të tyre nga Prishtina. Skanimi i gjurmëve të gishtërinjve konfirmoi identitetin e çiftit”, thuhet në njoftimin nga policia federale.
Ata e kanë telefonuar djalin e tyre 34-vjeçar në Recklinghausen dhe, sipas policisë, ai e mori mbesën në kujdestari pas konsultimeve me zyrën për mirëqenie të të rinjve. Policët më pas e dërguan çiftin në një qendër korrektuese.