Tirana do të kthehet në kryeqendrën e turizmit evropian përgjatë tri ditëve, pasi do të hapë dyert e saj për të mirëpritur takimin e Komisionit për Evropën të Organizatës Botërore të Turizmit.
Ky organizëm ka përzgjedhur Shqipërinë për të mbajtur një ngjarje me rëndësi historikë në fushën e turizmit, për herë të parë në Shqipëri.
Pasditen e kësaj të diele pritet mbërritja e delegacioneve të përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj organizate si dhe ministra të Turizmit e përfaqësues të lartë të këtij sektori nga 40 vende të Evropës, shkruajnë mediat shqiptare, përcjell albinfo.ch.
Më 9 prill do të mbahet edhe një Konferencë për Investimet në turizëm me tri panele diskutimi, ku është i ftuar edhe kryeministri shqiptar, Edi Rama, gjatë së cilës do të prezantohet përmes një ceremonie zyrtare udhëzuesi “Tourism Doing Business: Investing in Albania”.
Në tre muajt e parë të 2024 Shqipërinë e kanë vizituar 1.7 milionë turistë të huaj. Një ditë më parë Kryeministri Rama publikoi shifrat e vizitorëve të huaj për muajin mars, duke nënvizuar se muaj shënoi rekordin me një rritje prej 91 për qind nga viti i kaluar.