Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se javën e ardhshme do të ketë sërish një takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e rregullores së BQK-së.
Lajçak ka shkruar në platformën “X” për takimet që u zhvilluan të hënën ndërmjet kryenegociatorëve Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në Bruksel, duke thënë se u sqaruan detaje të rëndësishme rreth çështjes së dinarit, transmeton Albinfo.ch.
Ai tha se janë pajtuar të mblidhen sërish javën e ardhshme, “me ambicien për të gjetur një zgjidhje”.
“Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë prezantuar sot propozimet për rrugën përpara për personat e prekur nga rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme. Diskutimet tona të gjata ndihmuan për të sqaruar detaje të rëndësishme”, ka shkruar Lajçak./Albinfo.ch