Dyert e kopshteve nga sot kanë qenë të mbyllura në Maqedoninë e Veriut për të gjithë fëmijët që nuk i kanë marrë tri dozat e vaksinës DTP kundër kollës së keqe.
Kjo pasi Inspektorati Shtetëror Sanitar Shëndetësor ka nisur me zbatimin e vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për kryerjen e inspektimeve të jashtëzakonshme dhe ndalimin e pranimit të fëmijëve në institucionet parashkollore, të cilët nuk janë të imunizuar me dozat e nevojshme të vaksinës DTP kundër kollës së keqe.
“Inspektimet e jashtëzakonshme kanë nisur sot (e hënë) nëpër institucionet parashkollore për ndalimin e pranimit të fëmijëve të paimunizuar”, thuhet në njoftimin e Inspektoratit Shtetëror Sanitar Shëndetësor.
Vendimi i Ministrisë pasoi thirrjen e Komisionit për Sëmundje Infektive për marrjen e masave serioze për mbajtjen nën kontroll të situatës, apo parandalimin e përhapjes së infektimit.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, deri më 6 mars, vetëm në Shkup janë evidentuar 141 persona të prekur nga kolla e keqe, disa prej të cilëve janë në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të problemeve me frymëmarrjen.