Fermerët në gjithë Evropën kanë protestuar kundër politikës bujqësore prej javësh. Protestat e para po shpërthejnë tani në Zvicër. Të premten e kaluar në mbrëmje, fermerët i futën traktorët e tyre në kantonet e Bernës dhe Friburgut.
Sipas organizatorëve, numri i shoqëruesve ishte mbi një mijë, përcjell albinfo.ch.
Arsyet e ndryshme për protesta
Ka arsye të ndryshme pse protestat po arrijnë tani deri në Zvicër, thotë Robert Finger, i cili hulumton politikat bujqësore në ETH Cyrih. Nga njëra anë, situata ekonomike është e vështirë për disa kompani, por nga ana tjetër, kërkesat për bujqësi janë në rritje. Finger citon gjithashtu diskutimin e vazhdueshëm rreth parave federale (subvencion) për bujqësinë si një shtysë.
Pavarësisht ngjashmërisë së tyre, protestat në Zvicër nuk mund të krahasohen me ato jashtë vendit, shpjegon eksperti i bujqësisë Finger.
“Bujqësia zvicerane operon në një mjedis, ku përqindja e pagesave direkte dhe e mbështetjes së qeverisë është shumë më e lartë se në vendet fqinje”. Krahas pagesave direkte, mbrojtja e kufirit zbut disi çmimet dhe në këtë mënyrë nuk kalon në masën e plotë të presionit të tregut.