Gjatë vizitës së nënkryetarit të Komunës së Prishtinë, z. Alban Zogaj, në Zvicër, platforma mediale albinfo.ch ka realizuar një intervistë, ku ai flet për qëllimin e vizitës, takimet që do të realizojë me ndërmarrësit shqiptarë në Zvicër, në Forumin për investime nga Diaspora. Zogaj ka shpalosur me këtë rast mundësitë dhe lehtësitë që kryeqyteti u ofron mërgimtarëve për investime.
Albinfo.ch: Z. Zogaj , këto ditë do të qëndroni në Zvicër, përkatësisht në Cyrih, në një takim me ndërmarrës nga diaspora shqiptare. Për çfarë kornizash të invetimeve bëhet fjalë?
Alban Zogaj: Me kënaqësi po marr pjesë në Forumin per Investime nga Diaspora, ku do të prezantoj mundësitë e investimit në kryeqytet, por edhe në Kosovë, në përgjithësi.
Albinfo.ch: Çfarë prisni nga këto takime me bizneset?
Alban Zogaj: Këto janë takime shumë të rëndësishme, të cilat japin mundësi të njihemi me njëri-tjetrin, të krijojmë lidhje biznesi dhe të ndajmë informatat, por edhe potencialin e mundshëm për investime. Diaspora jonë është shumë e fuqishme, ajo mund të ndihmojë në zhvillimin e Kosovës, por edhe zhvillimin e ndërmarrjeve të tyre.
Albinfo.ch: Çfarë konkretisht u mundësoni mërgimtarëve nëse vendosin të investojnë në Prishtinë?
Alban Zogaj: Prishtina si kryeqytet ka një numër projektesh, të cilat do t’i hapim si potencial për partneritete publiko-private! Janë projekte qindra milionëshe, të cilat kërkojnë financim nga sektori privat dhe bashkëpunim. Janë mundësi e mirë për ndërmarrjet e diasporës për ta treguar ekspertizën e tyre, por edhe për të krijuar fitime të reja e zhvillim të ri.
Albinfo.ch: A ka kompetenca komuna t’u ofrojë mundësi investimi, kur dihet se kompetencat kryesore janë të qeverisë?
Alban Zogaj: Patjetër. Ne kemi Ligjin mbi Kryeqytetin, ligj i cili na jep autonomi për të vendosur lidhur me projektet e mëdha. Gjithashtu, kemi rregulloret tona dhe ligjet të cilat na japin mundësi të shumta veprimi.
Albinfo.ch: A keni lidhur tashmë kontakte me bizneset e diasporës?
Alban Zogaj: Kemi shumë kontakte me biznese nga diaspora. Tani, me liberalizimin e vizave kontaktet mund të jenë edhe më te shpeshta dhe më të lehta. Mburremi dhe jemi shumë krenarë me sukseset e diasporës sonë.
Albinfo.ch: Në këtë vit, a keni pritje reale që të ketë investime nga diaspora në Prishtinë, dhe ku?
Alban Zogaj: Po, presim që diaspora jonë të angazhohet në projektet e Prishtinës. Gjate këtij viti do të kemi disa thirrje për investitorë, për t’u angazhuar në projekte me PPP. Një prej tyre është “Fshati Olimpik”, pastaj ndërtimi i Spitalit të Qytetit, ose ndërtimi i Stacionit të Autobusëve.
Albinfo.ch: Ku e mbështetni besimin se do t’i bindni bashkatdhetarët tanë që të vijnë të investojnë në Prishtinë?
Alban Zogaj: Kam besim të plotë, sepse besoj fuqishëm në kapacitetet e diasporës tonë, por edhe në dashurine që ata kanë per vendin e tyre. Diaspora luan një rol të jashtëzakonshem në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Albinfo.ch: Çfarë u premtoni bashkatdhetarëve në kohën e pushimeve të tyre në Prishtinë?
Alban Zogaj: Vera në Prishtinë këtë vit do të jetë e ngjeshur me aktivitete kulturore e sportive. Festivali “Sunny Hill” do të mbahet në datat 25-28 korrik 2024. Pastaj do të kemi Festivalin e Gastronomisë gjatë gushtit. Ngjarje e madhe është edhe festivali i operas, i të madhit Ramë Lahaj. Festimet do të fillojne me ditën e çlirimit të Prishtines, pra në javën e parë të qershorit 2024.